Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme u zhvillua raundi i gjashtë i konsultimeve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, të drejtuara nga Drejtorja e Përgjithshme për Çështjet Politike dhe Strategjike në MEPJ, Ardiana Hobdari, dhe Drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Nathalie Kauther. Në konsultime mori pjesë edhe Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karlfried Bergner.

Takimi shërbeu për të bërë një bilanc të marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe dhe për të diskutuar mundësitë e zgjerimit dhe konkretizimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Në qendër të konsultimeve ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, me fokus të veçantë në ecurinë e negociatave, përparimin e reformave dhe rëndësinë e ruajtjes së ritmit të tyre në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Palët shkëmbyen gjithashtu mendime mbi forcimin e dialogut politik, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe kulturor, partneritetin në kuadër të NATO-s, zhvillimet rajonale dhe bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare.

Gjatë konsultimeve, pala shqiptare shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme dhe të qëndrueshme të Gjermanisë ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe agjendës së saj të reformave, si dhe për angazhimin e Gjermanisë në favor të stabilitetit, sigurisë dhe perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Në përfundim, u riafirmua vullneti i përbashkët për të thelluar më tej marrëdhëniet dypalëshe dhe për të forcuar partneritetin strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë.