Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Tiranë, 17 nëntor 2026 – Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Kevin Bufi, priti Presidentin e Organizatës Japoneze të Tregtisë së Jashtme (JETRO), Susumu Kataoka, të shoqëruar nga një delegacion përfaqësuesish të kompanive dhe institucioneve kryesore japoneze.

Misioni i dytë i biznesit i JETRO-s në Shqipëri brenda dy viteve dëshmon interesin në rritje për mundësitë që ofron vendi ynë dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike shqiptaro-japoneze.

Gjatë takimit, Zëvendësministri Bufi theksoi rëndësinë e shndërrimit të dialogut politik dhe kontakteve të biznesit në investime dhe projekte konkrete, duke u mbështetur në dinamikën e krijuar nga forumet e biznesit në Tiranë dhe Tokio, si dhe vizita e Kryeministrit Edi Rama në Japoni.

Në fokus të diskutimeve ishin mundësitë për bashkëpunim në energjinë e rinovueshme, infrastrukturë, transport dhe logjistikë, industri përpunuese dhe teknologji digjitale, si dhe zgjerimi i pranisë së produkteve shqiptare në tregun japonez.

Palët diskutuan gjithashtu forcimin e bashkëpunimit mes JETRO-s dhe Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), për të ndjekur mundësitë e identifikuara dhe për t’i kthyer ato në partneritete konkrete biznesi.

Në kuadër të procesit të integrimit evropian, Shqipëria synon të konsolidojë pozicionin e saj si një destinacion tërheqës për investimet japoneze dhe një portë hyrëse drejt tregjeve të rajonit.

 

Mesazhi kryesor i takimit: Nga interesi i ndërsjellë te rezultatet konkrete, përmes investimeve dhe partneriteteve afatgjata.