Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Vilma Premti, mori pjesë në Forumin “NextGen Aviation Skills”, të organizuar në Universitetin Europian të Tiranës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë të sektorit të aviacionit, përfshirë Autoritetin e Aviacionit Civil Shqiptar, AVIATEC, Czech Airlines Technics, Boeing dhe AlbaTechnics.

Në fjalën e saj, Zëvendësministrja Premti theksoi se integrimi evropian nuk është vetëm një proces institucional, por edhe një proces që krijon mundësi konkrete për të rinjtë përmes arsimit cilësor, zhvillimit të aftësive profesionale dhe përgatitjes për tregun evropian të punës.

Ajo vlerësoi nisjen e programit të parë në Shqipëri për Teknikë të Mirëmbajtjes së Avionëve, të zhvilluar sipas standardeve të Agjencisë Evropiane për Sigurinë e Aviacionit (EASA), si një shembull konkret të zbatimit të standardeve evropiane në arsimin profesional dhe një investim të rëndësishëm në kapitalin njerëzor.

Ajo vlerësoi gjithashtu zhvillimin e sektorit të aviacionit në Shqipëri gjatë viteve të fundit, duke theksuar se rritja e lidhjeve ajrore dhe e numrit të pasagjerëve duhet të shoqërohet me investime të vazhdueshme në kapitalin njerëzor, në mënyrë që vendi të disponojë profesionistët e nevojshëm për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të industrisë.

Në këtë kontekst, znj. Premti vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, si Czech Airlines Technics dhe Boeing, të cilët sjellin ekspertizë, nxisin shkëmbimin e përvojave dhe krijojnë mundësi të reja për studentët shqiptarë drejt karrierave profesionale në tregun ndërkombëtar të aviacionit.

Duke iu drejtuar studentëve, Zëvendësministrja theksoi se forumi është në përputhje me frymën e dialogut “BE-ja dhe Ju”, një nismë e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ferit Hoxha, që synon afrimin e procesit të integrimit evropian me të rinjtë nëpërmjet takimeve në shkolla të mesme dhe universitete në mbarë vendin.

Në përfundim, znj. Premti ritheksoi angazhimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për të mbështetur iniciativa që lidhin arsimin me tregun e punës dhe që u krijojnë të rinjve shqiptarë mundësi konkrete për zhvillim profesional, punësim dhe integrim në hapësirën evropiane.