Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Nju Jork – 27 prill 2022 | Këshilli i Sigurimit mbajti takimin periodik gjashtëmujor mbi situatën në Rajonin e Liqeneve të Mëdhenj. Gjatë takimit, Këshilli u informua nga i Dërguari i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm në rajon, Huang Xia, nga Sekretari Ekzekutiv i Konferencës Ndërkombëtare për Rajonin e Liqeneve të Mëdha, João Samuel Caholo, si dhe nga eksperti i pavarur Dinesh Mahtani.

I dërguari i posaçëm Xia vuri në dukje se situata në rajon është karakterizuar nga një dinamikë inkurajuese dialogu, bashkëpunimi dhe integrimi. Por, ai shtoi se ky moment pozitiv është ndërprerë nga kriza e sigurisë dhe ajo humanitare në lindje të Republikës Demokratike të Kongos (RDK), e përkeqësuar nga rifillimi i aktiviteteve ushtarake nga grupi M23 dhe shtimi i sulmeve kundër civilëve nga Forcat Aleate Demokratike (ADF) dhe grupet e tjera të armatosura lokale. Sipas Xia, për të arritur progres gradual drejt një paqeje të qëndrueshme, duhen bërë përpjekje të mëtejshme në të paktën tre nivele, përfshirë rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë; dialogun e drejtpërdrejtë dhe të përhershëm në nivelin më të lartë ndërmjet liderëve të rajonit; si dhe mbështetjen e vazhdueshme nga komuniteti ndërkombëtar për rajonin.

Zv/Përfaqësuesja e Përhershme Albana Dautllari, në emër të Shqipërisë, nënvizoi se përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve midis shteteve janë zhvillime pozitive, por pavarësisht kësaj, sfidat janë shumë të thella dhe aktive, si situata e sigurisë e përkeqësuar nga kërcënimi terrorist. Tutje, ajo theksoi shqetësimin e Shqipërisë mbi pasojat humanitare dhe kërkoi akses të papenguar të parterëve humanitarë dhe mbrojtjen e grave nga dhuna seksuale.

Së fundmi,  Zv/Përfaqësuesja e Përhershme Shqipërisë deklaroi se strategjia gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e konflikteve duhet të përfshijë zbatimin konkret të vendimeve për luftimin e shfrytëzimit dhe trafikimin e paligjshëm të burimeve natyrore, zbatimin e Deklaratës së Nairobit të 2019 për Drejtësinë dhe Qeverisjen e Mirë, si dhe mbështetjen dhe zbatimin e programeve për riatdhesimit dhe ri-integrimit të ish luftëtarëve.