Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Më 18 shkurt 2026, në ambientet e Ministrise për Evropën dhe Punët e Jashtme u zhvillua Takimi IV i Komitetit të Monitorimit për zbatimin e Marrëveshjes Ndërqeveritare Shqipëri–Francë, të nënshkruar gjatë vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Paris.

Takimi u bashkëkryesua nga Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Megi Fino, dhe Ministri i Deleguar francez për Tregtinë e Jashtme dhe Atraktivitetin Ekonomik, z. Nicolas Forissier. Në takim morën pjesë përfaqësues të Ministrive dhe institucioneve të ndryshme të përfshira në zbatimin e projekteve të parashikuara nga marrëveshja, në fusha si menaxhimi i ujërave, inovacioni, infrastruktura, bujqësia, arsimi dhe turizmi. Gjatë diskutimeve u shqyrtua ecuria e projekteve konkrete si dhe hapat që pritet të ndërmerren gjatë vitit në vijim për avancimin e mëtejshëm të tyre.

Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Francës karakterizohen nga një nivel i shkëlqyer bashkëpunimi, i mbështetur në respektin reciprok, vlerat e përbashkëta dhe angazhimin për integrimin evropian. Ato bazohen në Deklaratën mbi Partneritetin Strategjik Shqipëri–Francë të nënshkruar në vitin 2017, si dhe në dialogun politik të nivelit të lartë të reflektuar në vizitat e fundit të Presidentit Emmanuel Macron në Shqipëri në tetor 2023 dhe maj 2025, si dhe vizitën e Kryeministrit Rama në Paris në prill 2024.