Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Dialogu Politik: Republika e Shqipërisë dhe Republika e Qipros kanë vendosur marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh më 29 gusht 1991. Të dyja vendet tona kanë marrëdhënie të mira dypalëshe, me vullnetin e mirë për të zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Marrëdhëniet mes dy vendeve u shënuan me një rritje të kontakteve dypalëshe gjatë presidencës qipriote të BE-së, në vitin 2012, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit evropian. Në kontekstin e presidencës së ardhshme të Qipros të Këshillit të BE-së në vitin 2026, ekziston potenciali për të rritur edhe më tej shkëmbimet dypalëshe, si dhe kontaktet e nivelit të lartë, përfshirë në kuadrin e procesit të integrimit evropian.

Republika e Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në Qipro dhe në vijimësi ka mbështetur dhe mbështet vendimet dhe rezolutat e OKB-së, si dhe ato të Këshillit të Sigurimit, të Asamblesë së Përgjithshme të OKB për zgjidhjen e çështjes së Qipros në mënyrë paqësore dhe realiste, bazuar në standardet dhe vlerat ndërkombëtare dhe evropiane.

Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar: Shqipëria dhe Qipro kanë nënshkruar një sërë marrëveshjes si në fushën e turizmit, në fushën e transportit ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe mallrave, në nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve, në fushën e doganave, si edhe në fushën e bashkëpunimit të Integrimit Evropian. Megjithatë, ekzistojnë ende mjaft hapësira që kanë nevojë për më shumë përpjekje për një bashkëpunim ekonomik më të ngushtë mes dy palëve në të ardhmen.