Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Armand Skapi – Sekretar i Përgjithshëm

Armand Skapi lindi më 24 dhjetor 1973 në Tiranë. Në vitin 1996 u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1995, kreu një vit akademik në fushën e së drejtës ndërkombëtare të krahasuar në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Leiden, Holande. Në vitin 2009 z. Skapi kreu studimet pasuniversitare në fushën e së drejtës publike në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, me gradën Master Shkencor.

Prej vitit 1997 z. Skapi ka punuar pa ndërprerje në strukturat e Shërbimit të Jashtëm të Shqipërisë ku ka mbuluar detyra të rëndësishme drejtuese si: Drejtor i Drejtorisë së Kombeve të Bashkuara, Drejtor i Drejtorisë së Shtypit dhe Diplomacisë Publike, Drejtor i Drejtorisë së Lindjes së Mesme dhe Afrikës, Ministër Këshilltar pranë Ambasadës së RSH, Romë, Drejtor i Kabinetit të Ministrit të Jashtëm, Drejtor i Drejtorisë së të Drejtës Ndërkombëtare dhe Traktateve dhe Drejtor i Drejtorisë së të Drejtës së Detit dhe Marrëdhënieve me Gjykatat Ndërkombëtare.

Në muajin mars 2024 z. Skapi është riemëruar në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme pas ushtrimit të kësaj detyre ne periudhën 2019-2022. Ai mban gradën diplomatike Ministër Fuqiplotë.

Në kuadrin e angazhimeve në nivel ndërkombëtar, Z. Skapi është emëruar anëtar i Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit, 2016 – vazhdim, si dhe anëtar i Gjykatës për Pajtim dhe Arbitrazh e OSBE, 2013 – vazhdim.

Në kuadrin akademik, z. Skapi ka qenë i angazhuar si lektor i jashtëm në disa universitete në fushën e së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe trajnues në Shkollën Shqiptare të Administratës Publike. Gjithashtu, ai është autor dhe bashkautor i disa botimeve dhe artikujve në fushën e së drejtës ndërkombëtare dhe diplomacisë.

Skapi zotëron gjuhët angleze, italiane dhe frënge.