Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Qeveria shqiptare i kushton një vëmendje të veçantë forcimit të marrëdhënieve dypalëshe me Serbinë, duke marrë parasysh implikimet e shumëfishta që kjo marrëdhënie reflekton në nivel dypalësh dhe rajonal, duke përfshirë Kosovën dhe shqiptarët që jetojnë në rajon.

Vendet tona po rrisin bashkëpunimin dhe shkëmbimet e vazhdueshme në kuadrin e organizatave rajonale dhe nismës, si p.sh., Procesi i Berlinit, Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), etj. Prej janarit 2021 ka hyrë në fuqi Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë të shtetasve vetëm me karta identiteti.

Ka indikatorë të kënaqshëm në planin ekonomik, volumi tregtar ka ardhur duke u rritur deri në vlerën 233 milionë €, ndërsa vijojnë shkëmbimet në fusha si turizmi, energjia, transporti etj. Dhoma e Përbashkët e Tregtisë Shqipëri-Serbi ka arritje në krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta dhe investimeve të fokusuara në turizëm.

Qeveria shqiptare ndjek me vëmendje situatën e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës dhe kudo në Serbi. Mbështesim plotësisht politikën e mos diskriminimit dhe integrimin e tyre në institucionet shtetërore, gjë që nuk është thjesht një domosdoshmëri për ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar në përputhje me standardet evropiane, por edhe gur themeli i forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe.

Kërkesat tona bazohen në nevojat e tyre për të marrë atë që u takon, më shumë mirëqenie, më shumë respekt dhe përfshirje më të madhe në proceset integruese të Serbisë.