Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Nisma Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë (MARRI), është  ideuar në vitin 2003, në kuadër të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore dhe është lançuar zyrtarisht, më 5 prill 2004, në Konferencën Ministeriale të mbajtur në Herceg-Novi, e cila është konferenca themeluese e kësaj nisme si dhe sesioni i parë i Forumit Rajonal të MARRI-t.

MARRI përbëhet nga gjashtë shtete anëtare që janë: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Kjo nismë, funksionon nëpërmjet dy mekanizmave kryesorë:

  • Forumi Rajonal i MARRI-t, që shërben si platformë politike dhe është  forumi/organizmi  më i lartë i nismës, pasi gjatë takimeve të tij merren vendimet (me konsensus) për thellimin e bashkëpunimit sipas fushave specifike. Forumi përbëhet nga Ministrat respektivë që mbulojnë çështjet që lidhen me tematikën e MARRI-t. Kompetencat e tij konsistojnë në:
    • Miraton programin e veprimit dhe amendon Parimet dhe Rregullat e MARRI
    • Miraton Statutin e MARRI
    • Mbikqyr aktivitetet e ndërmarra nga MARRI dhe Qendra në fushën e migracionit, azilit, refugjatëve
    • Aprovon ose pezullon anëtarësimin në këtë nismë
    • Aprovon raportin vjetor të Qendres
    • Emëron Drejtorin e Qendres si dhe vendos për presidencën e rradhës.
  • Qendra Rajonale e MARRI-t në Shkup, e cila shërben si forum i bashkëpunimit praktik dhe zbaton vendimet e marra nga Forumi Rajonal. Qendra rajonale e MARRI-t, që ka filluar nga funksionimi në janar 2005, luan rol këshillues, koordinues, organizues dhe shpërndarës të informacionit, duke synuar përafrimin e legjislacionit të vendeve pjesëmarrëse me nivelet evropiane dhe lehtësimin e bashkëpunimit rajonal në fushat që janë objekt i punës së saj. Qendra ruan memorien institucionale të nismës dhe luan rolin e sekretariatit mbështetës të Forumit Rajonal të MARRI-t dhe të kryesisë së radhës. Qendra siguron financime nga donatorë, veçanërisht nga Komisioni Evropian.

Objektivat/fushat e veprimit të kësaj nisme dhe Qendrës së saj përqendrohen në kontributin për lëvizjen e rregullt dhe të lirë të njerëzve, në interes të sigurisë dhe prosperitetit, që lidhen me fushat e mëposhtme si: migrimi, azili, ripranimi, menaxhimi i integruar i kufijve, politika e vizave dhe bashkëpunimi konsullor dhe kthimi i refugjatëve / të të zhvendosurve etj.

Veprimtaria e nismës zbatohet nëpërmjet bashkëveprimit të përfaqësuesve të shteteve anëtare. Ka dy organizma që veprojnë :

  • Anëtarët e Komitetit të MARRI-t, në të cilin bëjnë pjesë gjashtë përfaqësues nga Ministritë e Punëve të Jashtme të gjashtë vendeve anëtare.
  • Koordinatorët Kombëtarë, në të cilin bëjnë pjesë katër përfaqësues nga Ministritë e Brendshme dhe dy përfaqësues nga Ministritë e Jashtme nga gjithsej gjashtë vende anëtare të nismës.

Për më tepër informacion klikoni në:  http://www.marri-rc.org/

Pothuajse një milion migrantë dhe refugjatë kaluan përmes Ballkanit Perëndimor, në kërkim të sigurisë, ushqimit, strehimit, punës. Megjithatë, problemet me të cilat ballafaqohen gjatë rrugëtimit të tyre janë më të mëdha se sa priten. Ndërsa kapacitetet kombëtare nuk janë të mjaftueshme për regjistrimin, tranzitimin, pranimin apo integrimin e numrit të madh të migrantëve dhe refugjatëve.

MARRI (Nisma Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë) si një Nismë Rajonale unike, me mandat kryesor në sferën e migrimeve, azilit dhe refugjatëve ndihmon vendet anëtare për të siguruar këshilla, analiza, trajnime dhe bashkëpunim. Gjithashtu, kjo nismë është një mbështetje për rajonin për të arritur standardet e BE për menaxhim të migracionit.

MARRI inicion, mundëson dhe koordinon procese rajonale për:

·         Harmonizimin e legjislacionit me BE
·         Ngritjen e kapaciteteve dhe institucioneve
·         Këmbimin e informacionit

Liria e lëvizjes është një e drejtë themelore e njeriut.