Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Dialogu politik: Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Turqisë janë vendosur me Traktatin e Miqësisë, nënshkruar më 15 dhjetor 1923. Marrëdhëniet midis dy vendeve, bazuar në miqësinë dhe lidhjet tradicionale, janë të shkëlqyera dhe janë ngritur në nivelin e Partneritetit Strategjik, si dhe në pasurimin e bashkëpunimit institucional në të gjitha fushat dhe nivelet. Gjatë vitit 2022 dhe fillim vitit 2023 është intensifikuar dialogu politik i nivelit të lartë.

Në Tiranë, më 29 janar 2024, u mblodh takimi i dytë i Grupit për Dialog Politik, drejtuar nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Hasani dhe Ministri turk i Punëve të Jashtëm  Fidan.

Më 22 shkurt 2024, në Ankara u mblodh për herë të parë Këshillit i Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë drejtuar nga Kryeministri Rama dhe Presidenti Erdogan dhe u diskutua në mënyrë më të thellë dhe konkrete bashkëpunimin dypalësh në fushat si siguria, mbrojtja, energjia e rinovuar, ekonomia dhe tregtia, infrastruktura, turizmi, mjedisi dhe çështje të tjera relevante. Gjatë këtij takimi u nënshkruan në sërë marrëveshjesh.

Viti 2023, shënoi 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, e cila përkujtua mes një kalendari të pasur veprimtarish dhe aktivitetesh të përbashkëta shkencore dhe kulturore, si ne Shqipëri dhe në Turqi

Marrëdhëniet shqiptaro-turke kapin një spektër të gjerë, duke përbërë një kuadër të spikatur institucional të bashkëpunimit në aspektin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare, ndihmës zhvillimore, shkëmbimeve sektoriale dhe bashkëpunimit normativ. Shqipëria dhe Turqia bashkëpunojmë ngushtësisht në fushën e sigurisë dhe në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Në Turqi jeton dhe punon një komunitet i madh shqiptarësh, diaspora e re e pas viteve 1990 dhe diaspora e vjetër, e cila shërben si një urë në forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Bashkëpunimi Ekonomik: Trendi pozitiv dhe në rritje i investimeve turke në vendin tonë vazhdon në fushat kyçe të ekonomisë shqiptare, si energjia, telekomunikacioni, sektori bankar etj. Deri në fund të vitit 2023, vëllimi i tregtisë ka arritur në 850 milionë euro dhe Turqia është bërë partneri i katërt tregtar i Shqipërisë. Investimet turke arrijnë në rreth 3.7 miliardë euro, ndërsa më shumë se 15 mijë shqiptarë janë të punësuar nga kompanitë turke të pranishme në vend.