Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar në përgjigje të aktiviteteve keqdashëse kibernetike të Rusisë dhe mbështet masat e koordinuara të ndërmarra për të mbajtur përgjegjës autorët e tyre.

Ne dënojmë me forcë sulmet kibernetike dhe aktivitetet e tjera keqdashëse në hapësirën kibernetike që synojnë infrastrukturën kritike, institucionet publike, proceset demokratike dhe sigurinë e vendeve aleate dhe partnere. Veprime të tilla janë të papranueshme. Ato minojnë stabilitetin ndërkombëtar, shkelin normat e sjelljes së përgjegjshme të shteteve në hapësirën kibernetike dhe përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë kolektive.

Duke qenë se edhe vetë Shqipëria ka qenë objekt i sulmeve të rënda kibernetike kundër infrastrukturës kritike kombëtare, ajo është plotësisht e vetëdijshme për rreziqet që paraqesin kërcënimet kibernetike dhe hibride të sponsorizuara nga shtetet. Për këtë arsye, ne riafirmojmë angazhimin tonë për forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike, rritjen e gatishmërisë dhe thellimin e bashkëpunimit me Aleatët dhe partnerët për të penguar, parandaluar dhe për t’iu përgjigjur aktiviteteve të tilla.

Si Aleate e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, plotësisht e harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, Shqipëria mbetet e përkushtuar për të mbështetur përpjekjet kolektive për mbrojtjen e një hapësire kibernetike të sigurt, të qëndrueshme, të hapur dhe të bazuar në rregulla.