Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të organizojë një Ditë të Hapur Informative me përfaqësues të administratave të universiteteve shqiptare, me fokus procedurat dhe kriteret për pajisjen me vizë të studentëve të huaj që zgjedhin Shqipërinë për të studiuar.

Takimi do të zhvillohet më datë 3 shtator 2026, në orën 11:00, ne ambienetet e MEPJ. Ai synon të forcojë komunikimin e drejtpërdrejtë me universitetet, duke ofruar informacion të qartë dhe praktik mbi kriteret e aplikimit, dokumentacionin e nevojshëm, si dhe hapat që lidhen me procedurat e vizës dhe të lejeve të qëndrimit.

Një pjesë e rëndësishme e takimit do t’i kushtohet problematikave të evidentuara nga universitetet dhe studentët e huaj gjatë procesit të aplikimit, me qëllim adresimin e tyre dhe dhënien e sqarimeve konkrete nga institucionet përgjegjëse. Lutem për regjistrimin e pjesëmarrjes na kontaktoni në adresën: dk@mfa.gov.al.

Kjo nismë është pjesë e angazhimit të MEPJ-së për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve konsullore, rritjen e transparencës dhe krijimin e një procesi sa më të qartë, efikas dhe të parashikueshëm për studentët ndërkombëtarë

Duke qenë se Shqipëria po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion për studentët ndërkombëtarë, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me universitetet mbeten thelbësorë për të garantuar zgjidhje praktike, orientim të qartë dhe përgjigje në kohë për aplikantët.