Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Në kuadër të Forumit Strategjik të Bled-it, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimović.

Takimi rikonfirmoi marrëdhëniet e qëndrueshme dhe miqësore ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal. Dy ministrat vlerësuan partneritetin mes vendeve tona, të mbështetur në fqinjësinë e mirë, aleancën në NATO dhe aspiratën e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Marrëdhënia e shëndetshme dhe miqësore ndërmjet dy vendeve tona është ajo e dy fqinjëve të mirë, partnerëve të besuar dhe aleatëve të NATO-s, që kryesojnë rrugëtimin e rajonit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh ministri Hoxha pas takimit.

Ministri nënvizoi se Shqipëria do të vijojë të investojë në bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe stabilitetin, lidhshmërinë dhe forcimin e kontakteve ndërmjet qytetarëve.

“Përmes këtij bashkëpunimi ndërtojmë besim, afrojmë shoqëritë tona dhe krijojmë një të ardhme të përbashkët evropiane për të gjithë”, theksoi ai.