Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në takimin dhe bashkëbisedimin e Kryeministrit Edi Rama me komunitetin shqiptar në Michigan, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Ministri Hoxha e cilësoi takimin një bashkëbisedim të hapur dhe të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, shqiptarët dhe gjithçka që i bashkon.

Ministri Hoxha bëri të ditur se së shpejti Shqipëria do të hapë Konsullatën e Përgjithshme në Detroit, me synim afrimin e shtetit me qytetarët dhe ofrimin e shërbimeve konsullore më të mira, më shumë ndërveprim e mbështetje për komunitetin shqiptar, si dhe forcimin e lidhjeve ekonomike e tregtare me aktorët dhe autoritetet lokale e shtetërore, në funksion të interesave kombëtare.

“Jemi angazhuar dhe do të bëjmë gjithçka që shërbimi ynë publik të jetë, kudo ku ka nevojë, pranë shqiptarëve, sa më funksional dhe sa më efikas”, shprehet Ministri Hoxha.

Duke vlerësuar lidhjen e fortë të komunitetit shqiptar në Michigan me Shqipërinë, Ministri Hoxha theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë shqiptare, si dhe të përcjelljes së tyre ndër breza.

“Kudo ku janë shqiptarët, aty është edhe Shqipëria. Aty duhet të jetë edhe shteti shqiptar: pranë tyre, në shërbim të tyre dhe krah tyre.”