Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, nënshkroi në selinë qendrore të NASA-s në Uashington Marrëveshjet Artemis, duke e bërë Shqipërinë pjesë të komunitetit ndërkombëtar të angazhuar për eksplorimin paqësor, transparent dhe të përgjegjshëm të hapësirës, në dobi të gjithë njerëzimit.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë Zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson, dhe Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Hapësirën dhe Mjedisin, Connor Tomlinson.

Në fjalën e tij, Ministri Hoxha e cilësoi nënshkrimin e Marrëveshjeve Artemis si një moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe një hap drejt së ardhmes, duke theksuar rëndësinë e shkencës, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Për Shqipërinë, ky moment është më shumë se një nënshkrim. Është një shprehje besimi te shkenca, inovacioni dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Një moment që krijon mundësi të reja për brezin tonë të ri dhe e lidh vendin tonë më ngushtë me teknologjitë, njohuritë dhe partneritetet që po formësojnë të ardhmen”, u shpreh Ministri Hoxha.

Sipas Ministrit, anëtarësimi në Marrëveshjet Artemis i shton një dimension të ri partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke pasqyruar angazhimin e përbashkët për inovacionin, progresin dhe bashkëpunimin në fusha të reja.

“Ky partneritet pasqyron angazhimin tonë të përbashkët për inovacionin, progresin dhe bashkëpunimin në kufij të rinj”, theksoi Ministri Hoxha.

Përmes nënshkrimit të Marrëveshjeve Artemis, Shqipëria i bashkohet përpjekjeve ndërkombëtare për promovimin e eksplorimit paqësor dhe të qëndrueshëm të hapësirës, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në shkencë, teknologji dhe inovacion.