Ministry for Europe and Foreign Affairs

Gjatë qëndrimit të tij në Pržno të Malit të Zi, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua me të Dërguarin e Posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz.

Biseda u fokusua në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë strategjike të forcimit të bashkëpunimit rajonal, ndërlidhjes dhe sigurisë.

Në një postim në rrjetin social X, Ministri Hoxha shkruan se Shqipëria dhe Franca kanë ndërtuar një partneritet të shkëlqyer, të mbështetur në vlera të përbashkëta evropiane, duke veçuar mbështetjen e Francës për perspektivën evropiane të vendit tonë.

“Mbështetja e vazhdueshme e Francës për rrugëtimin evropian të Shqipërisë, si dhe angazhimi i saj aktiv për një proces zgjerimi të besueshëm dhe të bazuar në meritë, kanë rëndësi strategjike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës në tërësi. Mbetemi të vendosur të punojmë ngushtë me Francën për të forcuar perspektivën evropiane të rajonit, për të konsoliduar stabilitetin dhe sigurinë, si dhe për ta afruar në mënyrë të vendosur dhe të pakthyeshme Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Evropian”, thekson Ministri Hoxha.