Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Gjatë qëndrimit të tij në Pržno të Malit të Zi, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua me të Dërguarin e Posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz.

Takimi u përqendrua në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal, ndërlidhjes dhe sigurisë.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Ministri Hoxha vlerësoi partneritetin mes Shqipërisë dhe Francës, të mbështetur në vlera të përbashkëta, duke theksuar mbështetjen e Francës për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

“Mbështetja e vazhdueshme e Francës për rrugëtimin evropian të Shqipërisë, si dhe angazhimi i saj aktiv për një proces zgjerimi të besueshëm dhe të bazuar në meritë, kanë rëndësi strategjike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës në tërësi”, thekson Ministri Hoxha.

Ai nënvizoi se Shqipëria mbetet e vendosur të punojë ngushtë me Francën për forcimin e perspektivës së rajonit, konsolidimin e stabilitetit dhe sigurisë, si dhe për afrimin e vendosur dhe të pakthyeshëm të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.