Ministry for Europe and Foreign Affairs

Navigate to this Section

Vilma Premti – Zëvendësministër në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme

Znj. Vilma Premti, lindur më 22 Mars 1976, i bashkohet si Zëvendës Ministre, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, pas një eksperience pune 22 vjeçare në administratën publike dhe sektorin bankar, ku ka spikatur si profesioniste dhe drejtuese e nivelit të lartë.

Karrierën e saj profesionale e ka nisur në vitin 2003 si juriste pranë zyrës së njohur ligjore Boga& Associates për të vijuar më tej në Ministrinë e Integrimit Evropian, si koordinatore në Drejtorinë e Përafrimit të Legjislacionit gjatë viteve 2004-2007. Gjatë kohës së saj pranë kësaj Ministrie ka marrë pjesë në Grupet e Punës të ngritura për Hartimin e “Planit Kombëtar të Zbatimit të Prioriteteve të Partneritetit Evropian”, miratuar në Tetor të vitit 2004 si dhe hartimin e “Planit Kombëtar për Përafrimin e Legjislacionit me atë Evropian dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asiociimit”, të vitit 2005 dhe 2006. Gjatë kësaj eksperience kontributi i saj në fushën e përafrimit të legjislacionit ka qenë tejet i vlerësuar marrë në konsiderate njohjen shume të mire të acquis communautaire.

Gjatë viteve 2006–2009 ka qenë pedagoge në Universitetin Zonja e Këshillit të Mirë, në Fakultetin e Shkencave Politike, në lëndën e të Drejtës Evropiane.

Në vitet 2006- 2009, ka mbajtur disa pozicione në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Mundësive të Barabarta, përfshirë: Këshilltare e Ministrit, Drejtore e Përgjithshme për Koordinimin e Politikave dhe Drejtore e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror. Në këto role, ka qenë përgjegjëse për koordinimin e hartimit dhe zbatimin e legjislacionit dhe zhvillimin e strategjive kombëtare në fushën e politikave sociale.

Nga viti 2010 deri në vitin 2021, ka punuar në sektorin bankar duke ushtuar detyrën e Këshilltares së Lartë ligjore, me kompetenca ndjekjen e procedurave ligjore të lidhura me rikuperimin dhe ristrukturimin e kredive, pranë Banka e Tiranës Sh.a, duke çuar në rezultate të suksesshme konkrete, gjatë periudhës së saj të punës.

Nga viti 2021 deri në vitin 2025, ka ushtruar detyrën e Drejtores së Kabinetit, fillimisht pranë Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe mandej në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Znj, Vilma Premti, është diplomuar në Fakultetin Juridik, të Universitetit të Ferrarës, në Itali, në vitin 2003, duke kryer në këtë Universitet Studimet e Larta dhe ato Master “Në të drejtën evropiane të krahasuar”, me mesatare të lartë. Po ashtu ka kryer dhe trajnimin formues 10- mujor, të politikanëve të rinj, pranë Akademisë Politike të  Këshillit të Evropës, në vitin 2007-2008 si dhe ka ndjekur në vitin 2006 trajnimin e Shkollës Diplomatike të Agjencisë Spanjolle për Bashkëpunim Ndërkombëtar, me temë “Çështjet Evropiane për Diplomatet e Ballkanit”.

Në jetën private është nënë e dy djemve.