Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Lundroni në këtë Seksion

Kevin Bufi – Zëvendësministër në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme

Kevin Bufi lindi në Tiranë, më 22 qershor 1993.

Prej tetorit 2026, ushtron detyrën e Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Përpara emërimit në këtë detyrë, ka shërbyer si Këshilltar i Kryeministrit dhe Koordinator për Bashkëpunimin Rajonal. Gjatë kësaj periudhe, ka ushtruar gjithashtu funksionin e EU Sherpa të Kryeministrit, duke koordinuar përgatitjen e qëndrimeve të Shqipërisë për samitet dhe takimet e nivelit të lartë me Bashkimin Evropian dhe me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë cilësi, ka koordinuar aspektet diplomatike të organizimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, të zhvilluar në Tiranë në vitin 2025. Përgjegjësitë e tij kanë përfshirë gjithashtu koordinimin ndërinstitucional, bashkëpunimin dypalësh me partnerët evropianë dhe ndjekjen e nismave të bashkëpunimit rajonal.

Në vitin 2022 ka shërbyer si Këshilltar i Kryenegociatorit të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke kontribuar në përgatitjet për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit. Më herët, ka ushtruar detyra në Avokaturën e Shtetit, ku është angazhuar në çështje të arbitrazhit ndërkombëtar dhe të asistencës financiare të Bashkimit Evropian.

Përvoja e tij profesionale përfshin gjithashtu sektorin privat, ku ka ushtruar profesionin si avokat i licencuar, si dhe angazhimin në shoqërinë civile, në kuadër të nismave të bashkëpunimit rajonal. Ka qenë gjithashtu pedagog i jashtëm i së Drejtës Financiare në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.

Kevin Bufi ka përfunduar studimet Bachelor në Drejtësi dhe Master i Shkencave në të Drejtën Civile në Universitetin e Tiranës. Ai zotëron gjithashtu dy diploma Master të Avancuar, në të Drejtën Ndërkombëtare dhe Evropiane të Biznesit nga KU Leuven në Belgjikë dhe në Zgjidhjen Ndërkombëtare të Mosmarrëveshjeve dhe Arbitrazh nga Universiteti Leiden në Holandë.