Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Tiranë, 30 janar 2026 – Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme organizoi sot veprimtarinë me temë “Diplomacia në shërbim të Shqipërisë Europiane 2030“, kushtuar misionit parësor të shërbimit të jashtëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Veprimtaria u zhvillua në format të ndërthurur, me pjesëmarrje fizike dhe ndjekje në-linjë, duke mundësuar përfshirjen e nëpunësve të shërbimit të jashtëm, si brenda, edhe jashtë vendit.

Në qendër të diskutimit ishin përparësitë e stadit të tanishëm të kuadrit negociues dhe përgatitjes për anëtarësim, rolin e shërbimit të jashtëm në tërësi dhe në veçanti të përfaqësive tona diplomatike në vendet anëtare të BE-së e më gjerë, si edhe bashkërendimin ndërinstitucional për përmbushjen e objektivit strategjik të Shqipërisë për anëtarësim brenda vitit 2030.

Në qendër të veprimtarisë ishte edhe komunikimi strategjik që Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka ndërmarrë për të sjellë më pranë publikut shqiptar dhe atij evropian procesin e anëtarësimit, vlerat, përfitimet dhe detyrimet që lidhen me të, duke mobilizuar burimet, energjitë dhe rrjetin e vet diplomatik për të informuar qartësisht, në kohë dhe me transparencë mbi çdo hap të këtij rrugëtimi.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme mbetet institucion kyç për udhëheqësinë politiko-diplomatike të procesit të integrimit evropian, një aktor aktiv dhe efikas në ndërveprimin me shtetet anëtare dhe institucionet e Bashkimit Europian, si edhe për bashkërendimin e strukturuar në aspektet që lidhen me përgjegjësinë institucionale dhe kapacitetin ekzekutiv, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse të administratës shtetërore.