Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Hoxha: Interesat tona janë të përbashkëta, avancojmë me gjithë angazhimet e ndërmarra.

Konjufca: Dy shtetet tona përfaqësojnë interesin e kombit shqiptar në botë.

Ministri Hoxha: Ishte kënaqësi e veçantë për mua që takimin e parë zyrtar në nivel ministror ta kisha me Zëvendëskryeministrin e parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës, mikun tim Konjufca, i cili është këtu edhe në kuadër të Samitit të IV të Diasporës, dhe gjetëm një dritare të vockël, por do të shfrytëzojmë çdo moment që kemi mundësi në Tiranë, në Prishtinë, kudo ku mund të gjendemi bashkë.

Jam i sigurt që do të gjendemi bashkë shumë shpesh për të biseduar për ato gjëra që janë të përbashkëta. Gjithçka që ndodh në Kosovë ka interes për Shqipërinë dhe mendoj që është edhe e anasjellta.

Interesat tona janë të përbashkëta, dëshira jonë është e pafund dhe mundësitë janë po ashtu të pafundme. Ne do të shfrytëzojmë absolutisht çdo moment, siç e bëmë sot në një takim të parë, ku biseduam për gjithçka që ka interes për Shqipërinë dhe për Kosovën, për ta forcuar këtë marrëdhënie vëllazërore, për të bërë një inventar të të gjitha marrëveshjeve, dakordësimeve, angazhimeve, sepse kemi përpara detyrën e madhe që çdo premtim që e kemi marrë në Tiranë, në Prishtinë, në çdo nivel, në nivelin e ministrave apo në nivele më të larta të kryeministrave apo të kryetarëve të shtetit, ta çojmë përpara në të mirë të Shqipërisë, Kosovës dhe në të mirë të madhe të rajonit.

Kështu, i dashur Glauk, faleminderit që ndave këtë kohë me mua. Është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të shkëlqyer, të ngushtë, vëllazëror, në të mirë të përbashkët, në të mirë të shoqërive tona dhe vendeve tona.

Ministri Konjufca: Edhe për mua është një kënaqësi e rrallë që të jem këtu në hapësirat e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë. U prita nga vëllau im, nga Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, për të cilin jo vetëm unë, por i gjithë populli i Kosovës ka një respekt të veçantë. Çdo përgjegjësi që e ka ushtruar zoti Hoxha, në çdo kapacitet të tijin, ka qenë një zë i shkëlqyer i mbrojtjes së interesit të kombit tonë, veçanërisht i Kosovës aty ku kemi pasur nevojë dhe, kur nuk kemi qenë ne, ka qenë Feriti për të na përfaqësuar, prandaj përgëzimet tona.

Ishte një takim shumë i mirë, shumë miqësor. Biseduam edhe për ato çka na presin mes dy shteteve tona, por edhe për atë që e pret Kosovën nëpër forume të rëndësishme multilaterale, anëtarësimet tona të radhës, edhe proceset e integrimeve evropiane, edhe të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ne, në fund të fundit, përfaqësojmë interesin e të njëjtit komb. Kështu unë e shoh politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës: ne, të dy shtetet, e përfaqësojmë interesin e kombit shqiptar në botë. Prandaj, dëshiroj më të mirat për ju, zoti Hoxha, për të dy shtetet tona dhe për kombin tonë në përgjithësi.