Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri Hoxha ka pritur  Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca në MEPJ, ku u theksua bashkëpunimi i ngushtë për çështjet e interesit kombëtar.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X:

Ishte kënaqësi e veçantë të mirëprisja sot në Tiranë Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së #Kosovës, Glauk Konjufca @KonjufcaGlauk, në kuadër të #Samitit të IV-të të Diasporës.

Ky samit është një dëshmi e qartë e vullnetit tonë të përbashkët për ta shndërruar diasporën shqiptare në një fuqi të organizuar dhe vendimtare për të ardhmen tonë kombëtare. #Diaspora jonë mbetet një aset i pazëvendësueshëm — një urë e gjallë që lidh kombin tonë me botën dhe një motor i fuqishëm zhvillimi, që kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e ekonomisë, shoqërisë dhe identitetit tonë.

Në vijim të një dialogu intensiv dhe të frytshëm, takimi i sotëm riafirmoi vendosmërinë tonë për të çuar përpara bashkëpunimin strategjik Shqipëri 🇦🇱– Kosovë 🇽🇰. Ne jemi të vendosur ta thellojmë këtë bashkëpunim në çdo fushë prioritare, nga ekonomia dhe infrastruktura te energjia, arsimi, kultura, mbrojtja dhe siguria. Theks të veçantë i dhamë nevojës për riaktivizimin e mekanizmave të përbashkët institucionalë, si dhe përshpejtimin e projekteve madhore kombëtare.

Në planin rajonal dhe ndërkombëtar, Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Kosovën dhe perspektivën e saj euroatlantike. Theksuam qartë se momenti pozitiv në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin #Evropian duhet të shfrytëzohet pa vonesë. Dhënia e statusit të vendit #kandidat për Kosovën është një domosdoshmëri politike dhe strategjike e mirëvendosur në kohë dhe një investim me vlerë për të ardhmen evropiane të rajonit tonë. Shqipëria do të vijojë të jetë një zë i fuqishëm në mbështetje të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, në çdo aspekt.

Ne nuk kemi luksin e pritjes. Koha kërkon veprim, #vendosmëri, #bashkërendim dhe #unitet. Prandaj, riafirmuam angazhimin tonë për koordinim të ngushtë dhe veprim të përbashkët në çdo çështje të interesit kombëtar, me synimin e qartë për të investuar së bashku në stabilitet afatgjatë, zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët tanë, si dhe në #paqen, #sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal.

Link: https://x.com/hoxhafer/status/2044063612617043986?s=46