Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, në margjinat e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, që po zhvillohet në Dublin.

Gjatë takimit, Ministri Hoxha theksoi rëndësinë e pranisë së Shqipërisë në çdo forum ku diskutohet për zgjerimin e Bashkimit Evropian, me synimin për të paraqitur progresin dhe modelin e Shqipërisë në këtë proces. Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Komisioneres Kos në avancimin e agjendës së zgjerimit.

Ministri Hoxha dhe Komisionerja Kos shkëmbyen mendime mbi dinamikën aktuale të procesit të anëtarësimit, perspektivat e tij dhe, mbi të gjitha, rëndësinë e ruajtjes së ritmit dhe momentumit të negociatave.

Për Shqipërinë, theksoi Ministri, objektivi mbetet i qartë: avancimi me vendosmëri dhe mbyllja e sa më shumë kapitujve negociues të jetë e mundur gjatë këtij viti, duke vijuar zbatimin e reformave dhe përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra.

“Zgjerimi ka të bëjë me meritën, momentumin dhe rezultatin. Shqipëria është gati për të treja”, u shpreh Ministri Hoxha.