Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Nju Jork – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha mori pjesë në takimin e thirrur nga Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, me liderë dhe ministra të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Diskutimet u përqendruan në situatën dhe dinamikën aktuale në Ballkanin Perëndimor, sfidat me të cilat përballet rajoni dhe rëndësinë e koordinimit të ngushtë në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe sigurisë.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha theksoi se “me Kallas nënvizuam rëndësinë e konkretizimit të perspektivës së BE-së për të gjithë rajonin, ruajtjen e momentumit të procesit të zgjerimit, avancimin e reformave dhe ankorimin e fortë të Ballkanit Perëndimor brenda familjes evropiane.”

“Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj procesit të saj të vazhdueshëm të anëtarësimit në BE dhe për të kontribuar në mënyrë konstruktive në bashkëpunimin rajonal, si dhe në një Evropë më të fortë, më të bashkuar dhe më të sigurt”, tha Ministri i Jashtëm