Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Lundroni në këtë Seksion

Miriam Shyti – Zëvendësministër në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme

Znj. Miriam Shyti sjell një përvojë të pasur në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, menaxhimit kulturor si dhe komunikimit publik, në detyrën e saj si Zv. Ministre e Evropës dhe Punëve të Jashtme.

Me një formim në Shkenca Komunikimi dhe Marrëdhënie Publike Politike, ajo ka ndjekur programe prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë Edukim Ekzekutiv mbi Menaxhimin e Inovacionit, në Harvard Business School, Cambridge Institute for Sustainability Leadership dhe specializim në Ekonominë e Tregut të Artit në Institutin Ndërkombëtar të Arteve Christie’s Education.

Znj. Shyti është gjithashtu pjesë e programit ndërkombëtar Global Leadership for Sustainable Development, nisur ne Ruandë dhe zhvilluar më tej në Stokholm.

Si koordinatore kombëtare e Inner Development Goals, ka sjellë për herë të parë këtë program ndërkombëtar në Tiranë, duke promovuar lidershipin transformativ që ndihmon përparimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm me fokus tek zhvillimi personal dhe i vlerave.

Ka mbajtur role kyçe në promovimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë, përmes bashkëpunimeve me fondacione dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Si Këshilltare në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka kontribuar në hartimin e rekomandimeve mbi politikat kulturore dhe rritjen e financimeve për skenën artistike kombëtare; ka koordinuar Javët Kulturore Ndërkombëtare – program i diplomacisë kulturore organizuar në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike në vend; ka konceptuar programin Culturalb – Kultura Shqiptare Udhëton Botën; ka facilituar aktivizimin e fondacionit francez ArtExplora, etj. Gjithashtu, ka mbajtur rol kuratorial e koordinues gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë (2025).

Znj. Shyti është anëtare e Bordit të Galerisë Kombëtare të Arteve/Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura dhe pjesë e Komitetit Drejtues të programit “Evropa Krijuese” 2025–2027.

Përvoja e saj ndërkombëtare është pasuruar përmes projekteve në Itali, ku ka jetuar e punuar disa vite, bashkëpunimeve e trajnimeve në nivel ndërkombëtar, si dhe një burse shkëmbimi profesional në Los Angeles – SHBA nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Në këto role ka krijuar ura të qëndrueshme mes diasporës shqiptare, industrive krijuese dhe institucioneve ndërkombëtare.